Xhamia e Sinan Pashës edhe pse nuk është xhamia më vjetër e Prizrenit, ajo pa dyshim është xhamia më e bukur e qytetit dhe më gjerë. Pozita e saj e bën që të dominoj mbi sheshin dhe çarshinë e vjetër të Prizrenit. E vlerësuar si një nga veprat më të bukura të arkitekturës Islame në Ballkan, ajo dominon mbi horizontin e Prizrenit dhe është simboli i saj identifikues.

Është ndërtuar në vitin 1615 nga ana e Sinan Pashës, që ka pasur pozita të ndryshme në administratën Osmane. Gjatë Luftës Ballkanike dhe Luftës së parë Botërore xhamia shfrytëzohej si depo municioni nga ushtria Bullgare dhe Serbe. Duke ditur se një pjesë e materialit ndërtimor është marrë nga manastiri i Arhangjelit që gjendet rreth 2km në periferi të Prizrenit, në vitin 1919 administrata e atëhershme tentoi që të rrënoj xhaminë për të kthyer gurët manastirit. Nga ky plan ata arritën të rrënojnë vetëm pjesën e hajatit, pasi që pasojnë protesta të mëdha për çka ideatorët e këtij plani detyrohen të ndërpresin aksionin e rrënimit. Në vitet 1968/69 xhamia shndërrohet në muze të dorëshkrimeve orientale .

Objekti ka formë katrore me një shtim (aneks) në pjesën jug-lindore që është një formë specifike,  e që nuk kemi asnjë rast tjetër  në Kosovë, përveç xhamisë së Emin Pashës në Prizren, që është ndërtuar në shek XIX si kopje e kësaj xhamie (Sinan Pasha)., ndërsa kubeja kryesore ka një diametër prej 14.5m dhe është e lartë 22m. Brendësia e xhamisë është e dekoruar me piktura murale, kryesisht me motive florale, mbishkrime dhe pjesë nga Kurani. Dekorimi i mureve është bërë disa herë gjatë historisë së saj, ndërsa kjo më së miri mund të vërehet në disa pjesë të mureve të xhamisë ku shtresa muralesh nga periudhat e më vonshme janë rrëzuar ndërsa në pah kanë dalë muralet e më hershme. Dekorimet në anët e poshtme të mureve të xhamisë tani më janë të padukshme, si pasojë e moskujdesit gjatë kohërave të kaluara.

Në kuadër të dekorimeve dhe ornamenteve përbrenda xhamisë, vlen të theksohen edhe shtyllat shumë të dekoruara të Mahfilit dhe tavani i saj i punuar nga druri.

Objekti është ngritur nga niveli i rrugës rreth 3m. Materiali ndërtimor i përdorur është gurë lumi dhe llaçi gëlqeror, ndërsa nga ana jashtme është veshur me gurë të gdhendur që supozohet se janë marrë (blerë) nga manastiri i Kryeengjëjve (Arhangjelit).

Minarja e xhamisë është e suvatuar nga ana e jashtme ndërtuar prej gurëve shtufe (siga) dhe arrin një lartësi prej 42 metrash e cila ngrihet mbi një bazë katrore. Deri në pjesën e galerisë së minares (“sherefe”) ka 122 shkallë (basamak).  Nga ana e brendshme objekti është suvatuar dhe është pikturuar së paku dy herë. Pikturimi i fundit është bërë kah mesi i shek. XIX.

Punimet restauruese konservuese janë bërë disa herë, ndërsa ajo e konservimit të pikturave ka zgjatur më së shumti – prej vitit 1973 deri në 1986 dhe nuk janë përfunduar. Në vitin 2007 kanë filluar punët e restaurimit dhe konservimit të objektit. Kah mesi i vitit 2011 ajo sërish u rihap për adhurim dhe vizitorë të shumtë. Si pjesë e renovimit ishte edhe ri-ndërtimi i tri kupolave dhe shtyllave mbajtëse në platon e xhamisë, të cilat ishin rrëzuar nga autoritetet serbe në vitin 1919.